Çmimet e naftës ranë në nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit të hënën, për shkak të ngadalësimit të aktivitetit të fabrikave në Europë dhe në Kinë.
Kjo rënie ka dëmtuar aksionet e vendeve në zhvillim dhe monedhat që kanë lidhje me lëndët e para. Ulja e çmimeve të naftës dhe lëndëve të tjera të para ka rritur frikën për kërcënimin e deflacionit, në mënyrë të veçantë në Eurozonë dhe Japoni. Në Rusi, rubla ra me më shumë se 4 për qind në raport me dollarin amerikan, në 52.65.
Edhe monedha e Malajzisë, ringit, që është shumë e varur nga nafta, ka realizuar humbjet më të mëdha 2-ditore që nga kriza financiare aziatike e viteve 1997-1998. Aksionet e vendeve në zhvillim realizuan performancën më të dobët, duke rënë me rreth 1.5 për qind. Çmimet e naftës po ndjekin një tendencë në rënie gjatë 5 muajve të fundit për shkak se furnizimi është më i lartë se kërkesa.
Edhe në takimin e javës, OPEC refuzoi të ulë prodhimin për të rritur çmimet. Si rezultat, vetëm në sesionin e së Hënës, nafta Brent e Londrës ra me rreth 2.5 për qind në 68.5 dollarë për fuçi. Nafta Bruto amerikane ra me rreth 1 për qind në 65.5 dollarë për fuçi.
Sa i përket lëndëve të tjera të para, çmimi i arit ra me rreth 2 për qind në 1,142.9 dollarë për onz, pasi votuesit në Zvicër refuzuan një propozim për të detyruar Bankën Qendrore të blejë më shumë ar.
Por më pas, metali i çmuar rikuperoi një pjesë të humbjeve dhe në pasditen e së hënës u tregtua me rreth 1170 dollarë për onz. Nëse zviceranët do të kishin votuar pro këtij propozimi në referendumin e së Dielës, atëherë Banka Kombëtare e Zvicrës do të detyrohej të dyfishonte rezervat e saj të arit. /Telegrafi/