Alvaro Odriozola ka rënë dakord të kalojë te Real Sociedad dhe tani është duke pritur për një marrëveshje mes klubeve për t’u larguar nga Real Madrid.
Ai mbërriti në Madrid në vitin 2018 në një transferim prej 32 milionë eurosh nga klubi në të cilin tani po kthehet.
Në total, në pesë vjet për madrilenët, Odriozola arriti të grumbullojë vetëm 49 paraqitje dhe ndërkohë, sipas Transfermarkt, vlera e tij ra nga 30 në vetëm pesë milionë euro.
Sezonin e kaluar, ai luajti vetëm 36 minuta në tre ndeshje të ligës për skuadrën e Carlo Ancelottit në krahun e djathtë.
Ai pati momentet më të mira të karrierës së tij si lojtar i Real Madridit i huazuar te Bayerni, me të cilin kaloi sezonin 2019/20 dhe festoi kurorën e trefishtë.
Odriozola ishte i huazuar edhe te Fiorentina dhe kishte kontratë me madrilenët edhe për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/