Gjendja e pacientëve me Covid-19 është rënduar edhe në Pejë. Nga spitali rajonal i këtij qyteti bëjnë të ditur se 6 pacientë janë në gjendje të rëndë, po ashtu shtuan se është rritur edhe numri i infektimeve.
Në Spitalin Rajonal të Pejës aktualisht janë duke pranuar tretman mjekësor 35 pacientë me COVID-19, 23 prej tyre janë nën asistimin me oksigjeno – terapi dhe nga këta 6 janë në gjendje më të rëndë.
Muhamet Haliti, zëvendës drejtor i Spitalit në Pejë, ka thënë se pavarësisht gjendjes me COVID-19 në spital është duke u menaxhuar situata edhe nuk ka vend për shqetësim.
“Nga muaji mars kemi bërë përgatitje. Për momentin kemi repartin e Infektives dhe të Pulmologjisë gati të mbushur. Kanë mbetur edhe katër vende në këto dy reparte. Kemi edhe katin e dytë të repartit të Pulmologjisë që ka mjaftueshëm shtretër që mund t’i aktivizojmë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Muhamet Haliti.
Në anën tjetër drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Pejë, Adnora Nurboja ka thënë se në Pejë ka rritje të numrit të të infektuarve, përcjell Telegrafi.
“Brenda ditës testohen 80-100 persona. Pas përpunimit na rezultojnë se rreth 30% të këtyre mostrave dalin pozitive”, deklaroi Arbnora Nurboja.
Kujtojmë se rritje të rasteve të reja me Covid-19 ka në gjithë Kosovën, teksa është paralajmëruar sërish ashpërsim i masave./RTV Dukagjini/Telegrafi/