Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrat, zëvendësministrat dhe stafi tjetër i kabinetit qeveritar, nga sot (e premte) kanë marrë pagat e tyre me rritje.
Sipas burimeve të Telegrafit, kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar i kanë marrë rrogat në mënyrë retroaktive prej 1 dhjetorit 2017.
Të njëjtat burime kanë treguar se kryeministri Haradinaj për 7 muaj pra që nga dhjetori i 2017-ës e deri sot kur kanë dalë pagat i ka marrë afro 11 mijë euro.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në fund të dhjetorit 2017 për dyfishimin e pagave për kabinetin e tij, të gjithë ministrat me stafin përcjellës dhe disa kategori tjera.
Ky vendim kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pas opinionit të kësaj gjykate se i njëjti nuk bie ndesh me Kushtetutën, Qeveria kishte rikthyer vendimin e shfuqizuar sa ishte në këtë gjykatë.
Kujtojmë se ministri i Financave, Bedri Hamza vazhdon të kundërshtojë këtë vendim të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave, madje ai ka deklaruar se nuk do ta pranojë pagën me rritje. /Telegrafi/