Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA ka publikuar ranglistën e përditësuar për muajin e fundit.
Përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi dy ndeshje në tetor, ku pësoi humbje nga Suedia 2-0 dhe Gjeorgjia 1-2.
Këto dy humbje i kanë kushtuar Dardanëve që kanë humbur katër pozita në ranglistën e FIFA-s, duke rënë nga vendi i 109 në 113.
Ndërkohë rritje ka për Kombëtaren e Shqipërisë gjatë muajit tetor.
Kuqezinjtë janë ngritur për tri pozita në ranglistën e FIFA-s, pasi nga vendi i 66-të kanë kaluar në të 63-tin.
Sa i përket ranglistës së përgjithshme, Belgjika vazhdon të mbetet e para, derisa në vendin e dytë ndodhet Brazili e të tretin Franca.
Kampioni në fuqi i Evropës, Italia është ngritur në vendin e katërt, teksa në vendin e pestë ndodhet Anglia e të gjashtin Argjentina.
Lista e top 10 Kombëtareve më të mira përfundon me Spanjën, Portugalinë, Meksikën dhe Danimarkën. /Telegrafi/