Site icon Telegrafi

Rëndësia e muajit të Ramazanit, teologu Flugaj flet për historinë dhe të mirat e agjërimit

Besimtarët myslimanë në gjithë botën kanë nisur agjërimin më 11 mars. Ata do të agjërojnë deri më 9 prill, atë ditë kur edhe përfundon agjërimi për të vazhduar më pas me festën e Fitër Bajramit.

Kjo festë shënon përfundimin e agjërimit dhe sjell gëzim dhe kënaqësi për besimtarët, të cilët festojnë duke ndarë ushqim dhe dhurata me familjen dhe miqtë e tyre, si dhe duke bërë lutje dhe falënderime për të gjitha bekimet që i kanë pritur gjatë Ramazanit.

Teologu Fitim Flugaj në një intervistë për Telegrafin ka folur mbi rëndësinë e muajit të madhërishëm të Ramazanit.

Flugaj thotë se muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani.

“Rëndësia e muajit të madhërishëm Ramazan vjen nga disa fakte apo nga disa shkaqe. Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani. Faktikisht, zbritja e Kuranit në tokë është njëherit ndryshimi i rrjedhave jetësore të njeriut, sepse arriti që njeriun ta ngritë në piedestalin e duhur që meriton njeriu”, është shprehur ai.

Teolog Fitim Flugaj

Flugaj thotë se Kurani është një udhëzues jo vetëm për besimtarët myslimanë, por, për për gjithë njerëzimin.

“Dallues i të vërtetës nga e pavërteta edhe njëherit  këshillues për të ndërtuar një jetë të begatshme dhe harmonike në mes njerëzve. Dhe faktikisht zbritja e Kuranit në këtë muaj ia ngriti vlerën këtij muaji dhe Zoti e dalloi këtë muaj, të cilin edhe e përmend me emra në Kuran”, pohoi ai.

Tutje, Flugaj tha “Allahu fuqiplotë vendosi që ky muaj i madhërishëm të jetë edhe njëra ndër shtyllat kryesore të besimit islam, e që është agjërimi”.

Në intervistë ai ka folur edhe për natën e Kadrit, si një ndër netët më të vlefshme gjatë muajit të Ramazanit.

“Zoti caktoi gjithashtu një natë e cila është më e vlefshme sesa një mijë muaj, e që është nata e Kadrit, në të cilën besimtari ka mundësi që të realizojë një qëllim shumë të rëndësishëm, e që është do të thotë begatimi dhe shlyerja e mëkateve”, nënvizoi ai.

Sa i përket historisë së agjërimit, Flugaj bëri të ditur se në Kuran bëhet e ditur se agjërimi është shumë më i hershëm se para 1 mijë e 400 vjetëve.

“Zoti thotë në ajet kur urdhëron apo na obligon që të agjërojmë thotë se o ‘ju besimtarë, ju të cilit keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi, sikur që ishte bërë obligim edhe për popujt e mëhershëm’. Që kuptohet se agjërimi vjen me njeriun e parë, do të thotë e ka përcjellë tek të gjitha gjeneratat e njerëzve. Do të thotë, historiku i agjërimit është shumë i hershëm, por forma e përkryer është kjo që ne e zbatojmë që një mijë e katërqind vjet”, thotë ndër tjera ai.

Në intervistë, Flugaj i cili është edhe zyrtar në Bashkësinë Islame të Kosovës, ka folur edhe për veprimet që prishin agjërimin, dhe për kategorinë e njerëzve që janë të liruar nga agjërimi./Telegrafi/

Exit mobile version