Telegrafi

Renault prezanton veturën luksoze Kadjar (Foto/Video)

Të mërkurën është bërë testimi i veturës më të re të kompanisë franceze Renault, Kadjar.

Falë bashkëpunimit me kompaninë e mirënjohur kosovare, “Auto Mita”, e cila është përfaqësuese e disa markave të ndryshme të veturave, si Renault, Dacia, Marcedes, tani së fundi edhe të Nissan, në testimin e veturës ishte i pranishëm edhe Telegrafi.

Renault Kadjar ndan shumë komponentë me modelin e veturave Nissan Qashqai, kjo në saje të bashkëpunimit mes Renault dhe Nissanit.

Kadjar për herë të parë është prezantuar në panairin e automobilave në Gjenevë të Zvicrës gjatë muajit mars të këtij viti.

Ky lloj veture është paksa më e madh se Qashqai, përkatësisht është 4.45 metra e gjatë, 1.84 metra e gjerë dhe 1.6 e lartë. Ndërsa ka një bagazh prej 42 litrash, përkatësisht 472 litra me ulëset.

Kadjar bën pjesë në segmentin C të veturave ‘Crossover”. Bëhet fjalë për një model inovativ dhe tejet atraktiv, me një stil të jashtëm fluid dhe atletik, derisa pjesa e brendshme përveç që është sportive, është edhe tejet e rafinuar, ku janë përdorur materiale të kualitetit të lartë.

Posedon motorin 1.5 litërsh me naftë, i cili është modeli më ekonomik. Harxhimet e modelit ekonomik llogariten të jenë rreth 3.8 litra për 100 kilometra, ndërsa rëndësi të veçantë i kanë kushtuar emetimit sa më të vogël të gazrave, përkatësisht emeton CO2 vetëm prej 99g/km. Ndërsa modeli me benzinë shpenzon 4.5 litra në 100 kilometra, kurse emeton CO2 vetëm 115 g/km. Modeli i benzinës, shpejtësinë prej 100km/h e arrin për 11.9 sekonda, ndërsa ai me naftë për 9.9 sekonda.

Karakteristikë e kësaj veture janë edhe njohja e shenjave të komunikacionit, ku më pas në mënyrë automatike rregullon shpejtësinë tuaj sipas shenjës së lexuar të komunikacionit. Vetura tërheq me rrotat e përparme, por edhe me katër rrota ‘4×4’.

Kjo veturë prodhohet në qytetin spanjoll të Palencias, ndërsa për tregun aziatik së shpejti do të hapë një fabrikë edhe në Kinë. Çmimi i veturës me motor benzinë sillet prej 17.590 deri në 21.890 euro, ndërsa vetura me naftë sillet prej 19.590 deri në 23.590 euro.

Vlen të theksohet se emri i modelit Kadjar është bazuar në dy fjalë: Kad është frymëzuar nga kuadrat që përfaqësojnë udhëtimet në çdo vend me automobil 4×4, dhe Jar na dërgon te fjalia frënge “jaillir”, përkatësisht gatishmërinë për çdo rast të papritur.