Telegrafi

REL: Serbia ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës për t’i hapur rrugë dialogut

Serbia është pajtuar që të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Këtë ua kanë konfirmuar gazetarëve burime në Bruksel, transmeton korrespondenti i Radio Evropa e Lirë në edicionin e gjuhës serbe.

Raportohet se autoritetet në Beograd kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë, me qëllim që t’i kontribuojnë rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.

“Si pjesë e vullnetit të mirë dhe krijimit të një atmosfere që kontribuon në vazhdimin e dialogut, nga ana e Beogradit janë pajtuar që të mos vazhdojnë me fushatën e tyre të çnjohjeve”, ka konfirmuar për gazetarë një burim i lartë diplomatik në BE.

Megjithatë, zyrtarë të Serbisë përfshirë presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk kanë zbuluar diplomacinë e tyre sa i përket kësaj çështje. Sipas tyre, Serbia haptazi ka shprehur qëndrimet e saj kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare siç është Interpoli dhe UNESCO.

Diplomatë nga Brukseli vlerësojnë se që të dy palët duhet t’i kontribuojnë atmosferës konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut.

Në anën tjetër Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, aktualisht është duke mbajtur një takim me anëtarët e Komisionit për Çështje të Jashtme  në Parlamentin Evropian. Ky takim është duke u mbajtur me dyer të mbyllura. /Telegrafi/