Site icon Telegrafi

Rektori Dema ngushëllon familjen Rraci pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe arkitektit Mehdi Rraci

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka ngushëlluar familjen Rraci, pas ndarjes nga jeta të profesor Mehdi Rraci.

Profesor Mehdi Rraci ishte veteran i arkitekturës kosovare dhe tërë potencialin e tij akademik e profesional, me vite të tëra, e orientoi në edukimin e gjeneratave të reja në këtë lëmi.

“Për vite, profesor Rraci e udhëhoqi Departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, me përkushtim dhe angazhim të pakursyer. Ai dha kontribut të pashoq edhe në ngritjen e infrastrukturës fizike me objekte në kuadër të universitetit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

“Prof. Mehdiu do të kujtohet edhe për punën e tij të palodhshme në proceset edukative. Përveç si njohës i fushës së arkitekturës, profesor Rracin do ta kujtojmë edhe si personalitet, i cili me korrektësinë dhe pedanterinë e tij në punë, ishte shembull për studentët, kolegët dhe të tjerët që e njohën dhe bashkëpunuan me të. Në këto momente pikëllimi e dhimbjeje, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Rraci, shokëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të profesor Mehdiut”, thuhet më tej në telegram. /Telegrafi/

Exit mobile version