Sergio Ramos ka vazhduar të vë rekorde me fanellën e Real Madridit duke qenë njëri nga golashënuesit në ndeshjen ndaj Celta Vigos.
Los Blancos dështuan të fitojnë në Santiago Bernabeu, mirëpo kapiteni ishte i saktë edhe një herë nga pika e bardhë në barazimin prej 2-2.
Një ndërhyrje në Eden Hazardin u ndëshkua me penallti, ndërsa Ramos e mori përgjegjësinë e ekzekutimit dhe realizoi.
Kjo ishte penalltia e katërt në këtë sezon që spanjolli e konvertoi në gol dhe në këtë mënyrë tregoi edhe një herë se pse është zgjedhur pikërisht ai që t’i ekzekutojë njëmbëdhjetëmetërshat që nga largimi i Cristiano Ronaldos.
Në sezonin e kaluar, ai ekzekutoi tetë dhe shënoi po aq gola. Kështu, që nga largimi i CR7 drejt Juventusit, Ramos i ka shënuar 12 gola nga 12 penallti të ekzekutuara (nëntë në La Liga, dy në Kupën e Mbretit dhe një në Superkupën e Spanjës). /Telegrafi/