National Association of Theatre Owners (NATO) dhe Comscore kanë njoftuar se viti i kaluar ka qenë rekord sa u përket përfitimeve në ‘box-office’ global duke kaluar kufirin prej 42.5 miliardë dollarësh (38.2 miliardë euro).
‘Box-office’ amerikan në vitin 2019 ka përfituar 11.4 miliardë dollarë që do të thotë se është pakëz më i ulët (katër për qind ) në krahasim me vitin paraprak (11.85 miliardë dollarë).
Mirëpo, rënia e përfitimeve në Amerikë është plotësuar me përfitimet e mëdha në tregun global, sidomos në kontinentin e Azisë.
Të hyrat nga shitja e biletave në vendet tjera të botës (jashtë Amerikës) kanë arritur rekord prej 31.1 miliardë dollarësh dhe kështu shumë totale e përfitimeve është 42.5 miliardë dollarë.
Përfitimet më të mëdha i ka sjellë Marvel përmes filmave që u bënë hite, si “Captain Marvel” dhe “Avengers: Endgame”.
“I gëzohemi vitit 2020, në të cilin publiku do të ketë mundësi të tjera për t’i vizituar kinematë”, ka thënë drejtori i ‘National Association of Theatre Owners’, John Fithian. /Telegrafi/