Agjencia Evropiane e Sigurisë Ajrore (EASA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) rekomandojnë masa të distancimit fizik në masë të mundshme dhe mbajtjen e një maske mjekësore për udhëtimet në avion.
Në një dokument të publikuar dje, këto dy agjenci të BE-së kanë bërë të ditur një sërë udhëzimesh për të garantuar sigurinë shëndetësore të pasagjerëve ajrorë dhe të personelit të sektorit të aviacionit, në momentin e rifillimit të programeve të fluturimit.
“Protokolli i publikuar dje mund të garantojë pasagjerët për sigurinë e udhëtimit të tyre në avion si dhe për të ndihmuar industrinë të rikuperohet nga efektet e kësaj pandemie”, theksoi komisionerja evropiane e ngarkuar me Transportin, Adina Valean.
“Garantimi i një sigurie shëndetësore është një faktor vendimtar për rifillimin e fluturimeve tregtare”, nënvizoi drejtori ekzekutiv i EASA, Patrick Ky.
“Tashmë ju përket kompanive ajrore dhe aeroporteve të përshtatin rekomandimet në pajisjet e tyre dhe operacionet”, shtoi ai.
Agjencitë rekomandojnë mbajtjen e maskave mjekësore nga të gjithë pasagjerët dhe personeli ajror, që prej hyrjes së tyre në aeroportin e nisjes deri në mbërritjen e tyre në destinacion, me përjashtim të fëmijëve poshtë moshës gjashtë vjeç.
Këto maska duhet të ndërrohen çdo katër orë dhe pasagjerët duhet të sigurohen të kenë një sasi të mjaftueshme, por gjithashtu dhe kompanitë janë nxitur të kenë një stok për të plotësuar nevojat./atsh/