Telegrafi

Rekomandohet suspendimi i një zyrtari policor, dyshohet se kanosi një person në Fushë Kosovë

Foto: Arkiv

Një zyrtar policor po dyshohet se ka kryer veprën penale të “Kanosjes”, për çka Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tij.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes”, ka thënë Beka.

Rasti ka ndodhur mbrëmë në Fushë Kosovë, ndërkaq Beka ka njoftuar se informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, u shpreh Beka.

Telegrafi ka provuar të marrë më shumë informacione nga ana e Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/