Site icon Telegrafi

Rekomandimet nga BE për Këshillin Gjyqësor ngecin në Ministrinë e Drejtësisë

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik nuk kanë dorëzuar propozime për reforma, pasi që kryeministri Hristijan Mickoski publikisht u bëri thirrje që të japin zgjidhje alternative ndaj premtimit të tij parazgjedhor për shpërndarjen e plotë të këshillave. Mickoski vendosi të ndërmarrë këtë hap pas kritikave të opinionit, por edhe të disa ambasadorëve se ideja e tij paraqet ndërhyrje nga ana e ekzekutivit në pushtetin gjyqësor.

“Nuk dhanë asnjë propozim deri më tani kuptohet jemi të hapur për dialog. Nevojiten reforma në këto trupa, patjetër ta përmirësojmë gjendjen, nuk mund ta lëmë të punoni si deri më tani. Kështu që, shpresoj se periudhën në vazhdim do të dalin jashtë asaj që do të thotë vetëm miratim dhe ndoshta do të japin propozime konkrete për atë se çfarë do të diskutohet”, tha Marija Miteva, OBRM-PDUKM.

Këshilli Gjyqësor së fundi theksoi se është e nevojshme të respektohen rekomandimet e Misionit Vlerësues të ekspertëve që BE-ja dërgoi në vend për të propozuar reforma në këshill. Shumica e rekomandimeve të tyre tashmë janë shëndruar në ndryshime ligjore dhe gjenden në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ne si grup Blueprint kah fundi i majit kemi përfunduar dhe që atëherë nuk kemi marrë asnjë informacion se ku është ligji, a është dorëzuar në Komisionin Evropian, në Komisionin e Venecias… dhe çka më pas, d.m.th. nuk kemi informacion”, deklaroi Jelena Kadriq, grupi Blueprint për Drejtësi.

Kadriq, e cila është pjesë e grupit të projektit për reformat në drejtësi, thotë se ata do të pranonin ftesën për të bërë propozime, por ata do të ishin përsëri në të njëjtën linjë me ekspertët evropianë.

“Nëse na thërrasin, qoftë ministri, qoftë kryeministri, sigurisht që do të japim kontributin tonë, sepse kemi kohë që punojmë në këtë fushë. Përvoja jonë është e madhe dhe do të mbështesim ndryshimet, megjithatë ndryshimet do të jenë në drejtim të rekomandimeve të Misionit vlerësues”, tha Kadric.

Para se të largohej nga funksioni, ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ndau detaje nga rekomandimet. Sugjerohet që anëtarët e Këshillit të zgjidhen në Kuvend njësoj si anëtarët e Antikorrupsionit. Gjithashtu, në të ardhmen anëtarët E Këshillit të propozohen nga Oda e Avokatëve dhe profesorëve të drejtësisë, si dhe ndryshojnë edhe dispozitat për përvojën e nevojshme në profesion. Ambasadori evropian David Geer së fundi tha se këto rekomandime janë udhërrëfyesi për reformën e Këshillit Gjyqësor./TV21/

Exit mobile version