Pronari i Elkos Group dhe rrjeti i qendrave tregtare “ETC”, Ramiz Kelmendi, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënën se industria e qumështit është një industri me bazë të gjerë në Kosovë dhe me ndikim të veçantë në rritjen e punësimit dhe vetëpunësimit.
Sipas tij, në këtë industri përpos qumështit bëjnë pjesë edhe prodhuesit e ushqimit të kafshëve dhe majmërisë së tyre, duke shtuar se këto prodhime kanë për konsumatorë vet qytetarët e Kosovës.
“Kostoja e prodhimit të tyre është stabile si dhe shumë konkurruese me prodhimet tjera. Kjo sepse një vend të veçantë zënë çmimi i transportit, meqë sipas asaj që dihet është se ky produkt është rentabil me një rreze të veprimit deri në 150 km. Andaj, pjesëmarrja e këtyre prodhimeve si në treg dhe konsum duhet të mbisundojë në raport me konkurrencën”, ka thënë Kelmendi.
Ai thotë për Telegrafin se konsumi i qumështit në Republikën e Kosovës është rreth 400 mijë litra në ditë, me mundësi rritjeje konform standardit të qytetarëve.
“Nëse këtë e llogarisim për një vit, del se kjo industri mund të krijojë deri në 150 milionë euro në vit, që është një vlerë domethënëse si për prodhuesit ashtu edhe për Qeverinë. Në tregun e Kosovës prodhimet e qumështit nga importi zënë mbi 60 për qind të tregut, vlerë kjo që me angazhim e prodhuesve vendorë, mund të bjerë në 20 për qind. Krejt ky kalkulim duke e ditur se për 15 vite qumështarët kanë arritur t’i plotësojnë nevojat e tregut deri në masën 40 për qind”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, problemet e industrisë së qumështit në Kosovë, janë ëpr shkak të mungessë së bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet prodhuesve, përpunuesve dhe tregtarëve.
“Problem paraqet edhe mungesa fuqisë financiare monetare dhe e marketingut të prodhuesve, sepse janë prodhues lokal dhe me kapacitet të vogël, ku mungon edhe një politike adekuate e subvencionimit krahasues me shtetet e rajonit, mungon teknologjia e avancuar, si dhe financimet me kamata të arsyeshme. Pastaj edhe industria e përpunimit të ushqimit të kafshëve ngecë dhe bazohet në importe prej nga sasia e importuar për të prodhuar një kilogram produkt të qumështit i duhet deri në tre kilogram ushqim”, ka shpjeguar ai.
Kelmendi, duke i parë këto kërkesa të njëpasnjëshme të qumështarëve, ka rekomanduar:
A) Prodhuesit e qumështit dhe përpunuesit duhet të organizojnë takim pune me organet kompetente të ministrive përkatëse, të ekonomisë dhe tregtisë dhe të dëgjohen me kujdes të gjitha kërkesat e tyre.
B) Të analizohen subvencionimet e shteteve të cilat janë pjesëmarrëse në tregun e Kosovës dhe të sinkronizohen subvencionimet tona me këto, në mënyrë që të kemi konkurrencë të mirëfilltë.
C) Të mundësohet marketing televiziv në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), si subvencion për një kohë të caktuar, në mënyrë që të kemi një informim nëpërmjet emisioneve dhe reklamave mbi prodhimtarinë dhe produktet që nxjerrin këta prodhues vendorë, me çka do të përfitonim në ndërtimin e cilësisë vizuale.
D) Të gjenden forma të kreditimit të butë (apo granteve) për të financuar teknologjitë e avancuara duke iu përgjigjur sfidave të konkurrencës aktuale dhe asaj të ardhshme.
Ai ka thënë se këto rekomandime do të sillnin deri tek kuptimi i esencës së kërkesave të tyre dhe shmangia nga protestat, të cilat, për disa arsye, janë të domosdoshme.
Në anën tjetër, deputeti Ramiz Kelmendi mendon se prodhuesit vendorë të industrisë së qumështit, duhet të kenë parasysh se Kosova me ligjet në fuqi është një treg i lirë dhe nuk ka mundësi të bllokohet importi i produkteve.
“Shumë produkte e në veçanti djathi me yndyrë bimore, ku është edhe theksi i qumështarëve, është i lirë në raport me djathin me yndyrë shtazore, por që edhe ka bazë prodhimin dhe tregtimin në EU, e që i plotëson normat e konsumit. Ky djathë është konsumuar nga qytetarët me të ardhura të ulëta. Sasia e importuar e këtij djathi ka arritur rreth tre mijë tonë, dhe duke u bazuar në këto të dhëna nuk besojmë se është kërkesë e duhur, që këtyre qytetarëve t’u shtrenjtohet kostoja e jetesës në interes të rritjes së profitit të qumështarëve. Madje bllokimi i rrugëve nacionale nuk do ishte veprim i duhur. Bllokimi i rrugëve është i ndaluar edhe me ligj. Nuk do ishte e hijshme të përdoret forca ndaj këtyre prodhuesve jetik dhe të domosdoshëm për ekonominë dhe buxhetin e Republikës së Kosovës. Më mirë është të bisedohet me gjatë nëse ka nevojë, sesa të protestohet”, ka shtuar Kelmendi. /Telegrafi/