Reklamimi i bizneseve kosovare ka ndryshuar, por ato duhet të punojnë edhe më shumë që të rrisin cilësinë e krahas kësaj të punojnë edhe në fushatat e marketingut në mënyrë të vazhdueshme. E biznesmenët tregojnë se buxhetet i kanë të planifikuara për reklamim që në fillim të vitit, derisa ai nga viti në vit rritet për 30 për qind.
Trendi i reklamimit ka ndryshuar edhe në Kosovë, pavarësisht se ai nuk ka përmasa të mëdha dhe fushata të forta të reklamimit. Por, sipas njohësve të fushës së “propagandës”, bizneset janë duke e kuptuar edhe reklamimin si investim, e jo si shpenzim. Ekspertë të marketingut kanë treguar se në dy vjetët e fundit ka rritje rapide reklamimi online. Kjo rritje sipas tyre arsyetohet me rritjen e përdoruesve të internetit në vend dhe mundësitë e mëdha që ofron kjo fushë e pashfrytëzuar në Kosovë. Por, për të pasur një sukses më të madh fushatat e marketingut, ato duhet të shoqërohen edhe me oferta të leverdishme për konsumatorët e po ashtu bizneset duhet të punojnë më shumë në rritjen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë.
Të punohet në ngritjen e cilësisë
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bernard Nikaj, ka thënë për revistën “Ekonomia” se bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e reklamimit, por edhe janë duke punuar në ngritjen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve të tyre. Ai thotë se, krahas reklamimit, bizneset duhet të punojnë edhe në ngritjen e cilësisë së produkteve. “Një pjesë e madhe e bizneseve në Kosovë e kanë kuptuar rëndësinë e promovimit të produkteve të tyre, e në veçanti nevojën e krijimit të brendeve, të cilat do të krijojnë traditë te konsumatorët, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, thotë ai. Por, sipas ish-ministrit Nikaj, ende duhet punë për krijimin e ndërlidhjes mes kualitetit dhe promovimit. Këtu mbase, sipas tij, qëndron çelësi i suksesit të shumë produkteve vendore. “Shpesh ka shumë reklamë e promovim, por nuk ka mjaft kualitet, i cili e shoqëron këtë”, tha Bernard Nikaj.
Ai thotë se bizneset nuk duhet ta lënë anash reklamimin, por duhet të punojnë shumë edhe në ngritjen e cilësisë së produkteve. “Prandaj, besoj që bizneset, krahas reklamimit e promovimeve të ndryshme, duhet të punojnë më shumë në ngritjen e cilësisë së produkteve e shërbimeve, në mënyrë që të sigurojnë një treg të qëndrueshëm, si vendor ashtu edhe ndërkombëtarë”, ka thënë Nikaj.
Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se ende ekziston një vetëdije jo e duhur lidhur me rëndësinë e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun te bizneset. “Si Odë Amerikane kemi trajtuar këtë aspekt me kompanitë tona anëtare, duke u mundësuar një interaksion me kompanitë që specializojnë ofrimin e shërbimeve në këto dy fusha. Edhe ato kompani të cilat investojnë në marketing, shpeshherë nuk fokusohen në të gjitha elementet e tij, duke e bërë të pamundur që të nxjerrin përfitimet maksimale nga ky investim”, tregon Zeka.
Sipas tij, një pjesë e bizneseve investojnë në marketing, kohë pas kohe, duke mos ruajtur një qasje të vazhdueshme ndaj konsumatorëve. “Në fakt, marketingu duhet të shihet si diçka esenciale, që ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e brendit, e jo si një mjet i cili duhet të përdoret vetëm atëherë kur kompania ballafaqohet me probleme ose përjeton rënie të shitjeve. Kjo është realisht ajo që ndihmon në ruajtjen dhe fuqizimin e besueshmërisë për markat e njohura tregtare botërore”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
E, Bashkim Osmani, i cili udhëheq kompaninë “Laberion” nga Podujeva, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, tregon se ata në vazhdimësi kanë bërë dhe bëjnë promovimin e produkteve përmes fushatave të ndryshme. Ai tregon se ka ndryshuar edhe vetëdija e bizneseve dhe se tash buxhetet e reklamimit janë vjetore. “Në kompaninë tonë reklamojmë produktet tona dhe madje e kemi edhe buxhetin e ndarë për reklamim vjetor, por kjo ka rritje nga 20 deri në 30 për qind më shumë sesa planifikimet”, ka treguar ai. Osmani thotë se edhe çmimet e reklamimit, sidomos në televizionet me frekuenca kombëtare, nuk janë të leverdishme. “Si kompani, bëjmë planifikime dhe strategji vjetore të marketingut. Krahas qarkullimit dhe kapitalit, kemi edhe buxhet për marketing, por çmimet janë të shtrenjta, sidomos në televizionet me frekuenca nacionale, por ka mundësi të tjera, të cilat i shfrytëzojmë, qoftë në televizione dhe në mediet e tjera, duke mos anashkaluar as bilbordet”, ka thënë pronari i kompanisë “Laberion”, Bashkim Osmani.
Reklamimi online me rritje
Por, kompanitë të cilat merren me reklamim online tregojnë se viteve të fundit është rritur numri i bizneseve, të cilat aplikojnë reklamën në internet. Sipas tyre, kjo rritje është për shkak se numri i përdoruesve dhe shtrirja e internetit po rritet dita- ditës.
Gëzim Begolli, drejtor menaxhues në kompaninë “Httpool” për Kosovë dhe Shqipëri, ka thënë për revistën “Ekonomia” se kompanitë kosovare e kanë kuptuar rëndësinë e reklamimit dhe promovimit, sidomos në dy vjetët e fundit. Ai tregon se, përveç kompanive të mëdha, një fokus i veçantë në reklamim është edhe nga kompanitë e vogla dhe të mesme. “Për sa i përket reklamimit online, kemi një rritje rreth 45 për qind nga viti 2012 në 2013, në total shpenzime të reklamimit në internet. Edhe këtë vit presim rritje, sepse dita- ditës kompanitë po e kuptojnë dhe po shohin rolin e reklamimit”, tregon Begolli.
Kompanitë tona, sipas tij, kanë filluar ta shohin rëndësinë e reklamimit online, pasi reklamimi në internet është një alternativë, e cila mundëson reklamim me buxhete të vogla. “Reklamimi online mundëson edhe një targetim shumë më efektiv të audiencës të cilën reklamuesi synon. Prandaj, efektiviteti i reklamimit online dhe mundësia e reklamimit me buxhete të vogla kanë bërë që kompanitë tona të fokusohen në këtë lloj të reklamimit”, thotë Gëzim Begolli, i cili drejton kompaninë për marketing online “Httpool”.
Njohësi i reklamimit online, Gëzim Begolli, thekson se metodat bashkëkohore të reklamimit në internet në Kosovë kanë filluar të aplikohen në vitin 2011 dhe, nga atëherë, ka rritje rapide të reklamimit. “Tradita po krijohet edhe te të gjitha kompanitë. Ato që reklamojnë një herë, vazhdojnë të reklamojnë në vazhdimësi. Për sa u përket çmimeve, reklamimi në internet mundëson të reklamosh edhe me një buxhet prej 10 eurosh deri në buxhete më të mëdha, kështu që çmimet e reklamimit janë shumë të volitshme dhe të kapshme për çdo kompani, qoftë edhe për një dyqan”, ka thënë Gëzim Begolli. /Revistaekonomia/Telegrafi/