Edy Reja ka publikuar ditë më parë listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e shtatorit të Kombëtares së Shqipërisë.
Shqipëria do t’i luajë tri ndeshje këtë muaj, ku fillimisht përballet me Poloninë në udhëtim, pastaj pret Hungarinë e San Marinon.
Trajneri Edoardo Reja dha një prononcim nga shtëpia e tij në Itali, ku ndër të tjera shpjegoi edhe zgjedhjet që ka bërë në listën e futbollistëve që ka ftuar për ndeshjet e fillimit të shtatorit.
Italiani ka folur për të gjitha, debutuesit, mungesat e mëdha si dhe të ftuarit.
“Kemi një listë prej 30 lojtarësh, por kemi edhe probleme me dëmtimet, si me Dermakun, Veselin e Lenjanin, të cilët duan disa javë për t’u rikthyer në fushë. Balliu po bën shumë mirë te Rayo Vallecano në La Liga dhe kam folur me të në telefon, por vuan nga pubalgjia dhe nesër do të vendosim nëse do të vijë apo jo. E njëjta situatë është edhe me Xhakën, që vjen pas një dëmtimi gjashtë mujor në gju dhe nuk ndihet ende gati për të dhënë kontributin e tij, megjithatë edhe në këtë rast, e kemi lënë që të vendosim në mënyrë të sinqertë, në dy ditët e ardhshme”.
“Ndërkohë vjen për herë të parë me ne edhe Ernest Muçi, që ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 dhe e ndjekim prej disa kohësh, pasi është vetëm 20 vjeç. Kemi gjithashtu edhe Çepelen, që e njihni tashmë. Misioni është të integrojmë këta të rinj së bashku, si Broja, Çokaj, Çepele e Muçi, të cilët janë vërtetë futbollistë me perspektivë. Pjesa tjetër janë futbollistë të grupit që e kemi krijuar tashmë”, tha trajneri italian.
Tutje trajneri italian foli edhe për formën e mirë që po kalojnë disa nga futbollistët e Shqipërisë, por i vije keq për portierët Berisha e Strakosha që nuk janë titullar me klubet e tyre.
“Po bën shumë mirë Çekiçi, që është transferuar në klubin e Cikalleshit dhe të dy po luajnë rregullisht në formacion. Ka shumë lojtarë që po luajnë rregullisht, por më vjen keq për Berishën e Strakoshën, që po qëndrojnë në stol, por që meritojnë shumë më tepër besim”.
“Ata stërviten rregullisht, por ndoshta nuk i kanë reflekset e ndeshjes, pasi nuk po luajnë. Pjesa tjetër si Gjimshiti e Ismajli luajnë rregullisht, ndërsa Kumbulla është shumë mirë, ndonëse nuk ka luajtur në javët e fundit”.
“Edhe Hysaj, Doka, Roshi, Trashi e Mitaj po luajnë rregullisht, ashtu si Bare e Laçi. Kemi edhe Manajn, që nuk po luan, por stërvitet me ekipin e parë të Barcelonës dhe gjatë verës ka bërë mirë në disa miqësore. Më ka thënë se është në formë mjaft të mirë, edhe pse nuk luan”, u shpreh Reja.
Ndeshjen e parë Shqipëria e zhvillon në udhëtim te Polonia më 2 shtator, derisa më 5 pret Hungarinë dhe me 8 shtator përballet me San Marinon. /Telegrafi/