Telegrafi

Reja: Duhet të luajmë mirë në tri ndeshjet e mbetura

(Foto: SS)

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve ndaj San Marinos (5-0), sidomos në pjesën e dytë, teksa në intervistën për SuperSport u shpreh i bindur që ekipi mund të bëjë shumë më mirë nëse vijon të punojë me këmbëngulje e dëshirë.

“Prisja të bënim shumë më tepër në pjesën e parë, sidomos në aspektin e finalizimit, pasi shënuam vetëm një gol, megjithatë në pjesën e dytë ndryshuam me aktivizimin e Roshit dhe Brojës. Skuadra kishte më shumë alternativa në organizimin e manovrës sulmuese dhe u shfaq me e çliruar, ndaj shënuam edhe katër gola të tjerë, përveçse patëm edhe disa raste të mira”, ka thënë ai lidhur me paraqitjen e skuadrës

Pyetjes se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur vendin e dytë, përzgjedhësi i është përgjigjur: “Ishim në pankinë në 5-0 po më thoshin që fitonte Anglia, ishim të lumtur, por pastaj erdhi një dush i ftohtë me golin në shtesë. Për të mbajtur gjallë ëndrrën, duhet të bëjmë mirë në të tre ndeshjet e mbetura (përveç Anglisë) dhe të provojmë të marrim sa më shumë pikë”.

Lexo po ashtu Shqipëria fiton me goleadë ndaj San Marinos, vazhdon të jetë në luftë për kualifikimin Katar 2022

“Gjithsesi ajo që më pëlqen është se skuadra po rritet, po funksionon mirë në fushë dhe po argëtohet duke luajtur. Më pëlqen që kam në dispozicion një grup që punon fort në stërvitje dhe kjo është shpërblyer edhe me ndeshjet e mira që kemi bërë në këtë edicion, ku natyrisht që mund të bënim më mirë vetëm në Poloni, një ndeshje që do të na djegë gjatë për mënyrën si humbëm”.

Komenti për Brojën dhe Uzunin: “Broja ishte shumë i aftë se u tregua altruist, pasi gjen lojtarët dhe jo vetëm kërkon golin. Kjo më kënaq, pasi ka treguar përulësi, di çfarë do të thotë një shok, çfarë do të thotë të jesh bashkë dhe ai ta jep topin. Ashtu edhe Uzuni, më pëlqen kjo lloj sjelljeje, larg egoizmit. Kjo është diçka e mirë, kur shoku është në pozicion më të mirë duhet të pasosh”.