Telegrafi

Reja me disa ndryshime nga ndeshja e parë, formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvilloj ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë e kanë nisur mbarë këtë edicion duke marrë një fitore në udhëtim te Bjellorusia 0-2.

Ndërkohë në takimin e dytë Shqipëria pret Lituaninë në shtëpi ku kërkojnë tri pikë të reja për ta blinduar pozitën e parë.

E në këtë takim trajneri Edoardo Reja pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, për të pushuar disa nga lojtarët nga ndeshja e parë.

Frederik Veseli pritet të ulet në bankë, ndërsa Ena Mihaj do ta zë vendin e tij në qendër të mbrojtjes.

Ndërkohë pushim pritet të kenë edhe dy lojtarët që vrapuan më së shumti në ndeshjen e parë Amir Abrashi dhe Keidi Bare, ndërsa në vend të tyre do të inkuadrohen Endri Çekiçi dhe Qazim Laçi.

Edhe në fazën e sulmit mund të ketë ndryshime ku Armando Sadiku dhe Armando Broja do të jenë në vijën e parë.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Strakosha, Mihaj, Dërmaku, Gjimshiti, Hysaj, Trashi, Gjasula, Laçi, Çekiçi, Sadiku, Broja. /Telegrafi/