Zinedine Zidane duket se ka filluar të mendojë për transferimet dhe largimet që do të ndodhin gjatë këtij afati kalimtar te Real Madridi.
Skuadra kishte një sezon zhgënjyes, pasi përfundoi në vendin e tretë në La Liga, 19 pikë mbrapa Barcelonës që u shpall kampion, u eliminua herët nga Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve.
Zidane nuk dëshiron që të përsëritet një sezon i tillë te Real Madridi, andaj ka filluar të punojë qysh nga tani për transferimet dhe largimet që do të ndodhin.
AS raporton se lojtari i parë që pritet të largohet nga madrilenët është mbrojtësi Sergio Reguilon, pasi nuk bënë pjesën në strategjitë e trajnerit francez.
22-vjeçari kishte një minutazh të madh nën urdhrat e Santiago Solarit të shkarkuar, por më pas nuk arriti ta bindte Zidanen, që startonte me Marcelon.
Borussia Dortmundi dhe Leganes kanë shfaqur interesim për transferimin e Reguilon, ndërsa Real Madridi është i hapur që ta shesë atë. /Telegrafi/