Site icon Telegrafi

Regjistroi rrejshëm punëtorë për të përfituar para nga Pakoja Emergjente për COVID-19, ndalohet i dyshuari në Ferizaj

Foto: Arkiv

Një person është arrestuar në Ferizaj, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente duke regjistruar 19 punëtorë me kontrata pune për të përfituar paratë nga Pakoja Emergjente Fiskale për COVID-19, pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas një hetimi disa mujor nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin J.U., nga komuna Ferizaj, në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale “Mashtrimi me subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu. sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri J.U., gjatë muajit mars dhe prill 2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë pu​nëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, i njëjti kishte lidhur disa kontrata pune, gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) duke deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) se ka nëntëmbëdhjetë (19) punëtorë të rinj.

Lexo po ashtu Arrestohet pronari i një kompanie në Ferizaj, ua mori punëtorëve paratë nga Pakoja Emergjente

Përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1) muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4,940.00€.

“Po ashtu, i dyshuari J.U., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, konkretisht kontrata pune pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin nuk e kishte të regjistruar në ATK dhe nuk i’u kishte paguar kontributet personale, por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorve”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. /Telegrafi/

Exit mobile version