Telegrafi

Regjimi strikt i dietës që i nënshtrohet Tyson para duelit ndaj Wilder

(Foto: SportsZion)

Tyson Fury përballet me Deontay Wilder për herë të tretë më 9 tetor, të shtunën mbrëma (rreth orës 3:00 të mëngjesit në ditën pasuese me kohën tonë).

Para trilogjisë së shumëpritur në Las Vegas, britaniku e ka treguar dietën strikte të cilës i përmbahet para meçit të madh.

33-vjeçari ka pohuar gjithashtu se pirja e sasive të mëdha të ujit për të luftuar nxehtësinë në Nevada, kanë formuar një pjesë integrale të përgatitjes së tij.

(Foto: Instagram/gypsyking101)

“Askush nuk do të bënte më shumë. Sparringu më i rëndë i mundshëm. Duke ngrënë asgjë tjetër, pos ushqimeve më të mira – perime, fruta, peshk, mishra, vitamina, minerale”, ka deklaruar Fury për MailOnline.

Lexo po ashtu Tyson Fury-Deontay Wilder III, historik i shkurtër dhe çfarë duhet të dini para trilogjisë së shumëpritur

Kur është pyetur për sasinë e ujit që konsumon, boksieri ka thënë: “Mbi një galon (3.78 litra) në ditë”.

“Hidratimi është element vital i performancës. Trupi është i përbërë nga 75 për qind ujë. Ndërsa unë kam një trup të madh. Duhet të vazhdoj t’i jap ujë. Vetëm një për qind e dehidrimit barazohet me 20 për qind të rënies në performancë. Është vështirë të pish aq shumë. Duhet të vazhdosh vrapimin për ta lehtësuar veten. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/gypsyking101)