Që prej takimit të organizuar nga Austria me shtetet ballkanike në Vjenë, itinerari i deritanishëm i refugjatëve në Ballkan është thuajse i mbyllur, e kjo i shtyn si të ardhurit vetë ashtu edhe kontrabandistët të kërkojnë për rrugë të tjera.
Me këmbënguljen e Austrisë kalojnë kufirin çdo ditë më pak se 600 refugjatë. Për këtë arsye rrugët ballkanike janë mbyllur për afganët dhe të tjerët. Por shefi i UNHCR-së në Beograd, Hans-Friedrich Schodder thotë se një zhvillim i tillë u jep shumë dorë trafikantëve. Duke qenë se tani një numër i madh njerëzish e shohin si të pamundur vazhdimin e udhëtimit në mënyrë legjitime, ata nxiten drejt kontrabandistëve dhe për rrjedhojë, shfrytëzohen.
Është diçka që ne e shohim çdo ditë, shton ai. Shqipërinë, një situatë e tillë, e lë mjaft të ekspozuar. Sa më i mbyllur të jetë itinerari kryesor, aq më joshëse bëhen kalimet e tërthorta. Deri tani, në Shqipëri janë kapur vetëm pak pakistanezë. Krejt ndryshe qëndron puna në kufirin serbo-hungarez. Policia hungareze ka regjistruar qysh nga fillimi i vitit rreth 3.200 kalime ilegale të kufirit. Qeveria në Budapest do tani ta zgjerojë gardhin kufitar 175 km, të gjatë edhe në drejtim të Rumanisë.
Qoftë përmes Bullgarisë për në Serbi, apo përmes Ukrainës ose nga Greqia në Shqipëri e që këtej drejt Italisë, ata që e kanë një qëllim në mendje, e gjejnë një mënyrë për të kaluar, thotë Berndt Körner, zv/shef i Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes së Kufirit, FRONTEX, transmeton tch.
Körner thekson se përpos një përjashtimi të vetëm, në të gjitha itineraret që agjencia mbikëqyr në hapësirën evropiane, vërehet sërish rritje e lëvizjes së emigrantëve.