Qendrën transitore të pranimit të refugjatëve “Vinojug” që gjendet afër kufirit jugor të Maqedonisë dje e kanë braktisur 13 persona, të cilët janë kthyer në Greqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Informacionin e konfirmuan nga zyra e UNHCR-së në Shkup duke shtuar se edhe më herët ka ngjarë që refugjatët e Maqedonisë të kthehen në Greqi.
Sipas informacioneve nga terreni, refugjatët që gjenden në qendrën e pranimit “Vinojug” vullnetarisht e braktisin këtë qendër dhe kthehen në Greqi, meqë atje funksionon marrëveshja për riatdhesim. Në këtë mënyrë, refugjatët më lehtë mund të mbërrijnë deri te vendet e BE-së, ndërsa në Maqedoni mund të paraqiten vetëm për të kerkuar azil.
Momentalisht në territorin e Maqedonisë janë gjithsej 117 refugjatë. Prej tyre, 45 gjenden në kampin e refugjatëve në Tabanoc jo shumë larg kufirit verior të Maqedonisë, ndërsa 36 refugjatë ka në “Vinojug”. 36 refugjatët tjerë, azilkërkues në vend, gjenden në Shkup.
Disa herë organizatorët të cilët u angazhuan në përballjen me krizën e refugjatëve kërkuan nga institucionet kompetente në vend për t’i përmirësuar kushtet e refugjatëve të cilët qëndrojnë në Maqedoni, meqë në qendrat e pranimit në të cilat janë vendosur nuk ka kushte për qëndrim të gjatë, për arsye se janë të dedikuara për qëndrim afatshkurtër të refugjatëve.
Që nga viti i kaluar, nga 9 marsi, zyrtarisht është mbyllur “Rruga Ballkanike”. Refugjatët mbetën të bllokuar në vendet e rajonit, në pamundësi që të udhëtojnë deri te destinacioni i tyre final, në vendet perëndimore të Evropës.