Telegrafi

Refugjatët në Idomeni e konfirmojnë se janë rrahur nga policia maqedonase

Tridhjetë refugjat në Idomeni janë lënduar fizikisht nga policia maqedonase për tentativë kalimi në mënyrë të paligjshme në Maqedoni, transmetojnë mediumet greke sipas informacioneve nga vullnetarët e organizatës “Mjekët pa Kufij”, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Një përfaqësues i organizatës, tha se 33 njerëz nga vende të ndryshme, të moshës 17 deri 29 vjet, të shtunën u përpoqën të hyjnë ilegalisht në Maqedoni. Siç thonë ata, ata u sulmuan dhe u rrahën nga policia maqedonase. Refugjatët thonë se gjatë sulmeve u janë marrë të gjitha paratë dhe gjërat me vlerë që kishin me vete.

Nga Ministria e Brendshme thanë se për momentin nuk kanë informacione në lidhje me një incident të tillë. Ata thonë se ende herë pas here shfaqen spekulimet e këtij lloji që plasohen nga organizatat humanitare, ku MPB i ka mohuar.

‘Nëse ka dëshmi për një rast të tillë, ata duhet t’i lënë për t’i verifikuar dhe për të marrë masat e duhura’ siç thuhet nga MPB-ja. /Telegrafi/