Refugjatët në kampin e Tabanocit vazhdojnë të qëndrojnë në kushte të vështira. Ata ankohen edhe për mungesë të ushqimit dhe hapësirës në të cilën janë vendosur. Kjo gjendje mbretëron tash e disa javë, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ata për Alsat-M thonë se në një kontejner janë të vendosur 3 apo 4 familje, pastaj u mungojnë vendet adekuate për pastrim, si dhe ankohen për ushqimin, që siç thonë ata nuk është i mjaftueshëm.
“Nuk kemi për të ngrënë, edhe ato çka na ofrojnë janë të njëjtat ushqime për çdo ditë, nuk kemi kushte për të fjetur, na mungojnë tualetet, nuk kemi vende të posaçme për pastrim”, tha një refugjat.
“Ne jemi këtu gati 1 muaj, ne duam që të na thoni të vërtetën, mos luani me ne, çdo ditë na thonë se nuk mund të bëjmë asgjë, se ja sot mbahen takime dhe do ju lëshojmë, por çdo dit na gënjejnë”, u shpreh një tjetër refugjat.
Për gjendjen e rëndë me të cilat po përballen refugjatët në kampin e Tabanocit flasin edhe shoqatat humanitare. Por, nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se vazhdimisht punohet për përmirësimin e kushteve për emigrantët.
“Ka mungesë të ushqimit, tani refugjatëve u jepet vetëm ushqim i thatë, si biskota, çokollata të ndryshme. Momentalisht është ndërprerë sjellja e ushqimit të lëngshëm apo të gatuar”, deklaroi Avni Saliu, LEGIS.
“Sektori joqeveritarë në pajtim me ndalesën që e kanë nga ana e organeve të disa Inspektorateve, për shkak të sëmundjes së diarresë që pati përfshirë 154 emigrant, e kanë të ndaluar që të sjell ushqim”, tha Goran Stojkovski nga Qendra për menaxhim me kriza.
Për momentin në Kampin e Tabanocit janë të vendosur 1038 refugjatë, kryesisht nga Siri, Iraku dhe Afganistani./Telegrafi/