Kalimi i ndryshimeve kushtetuese është vetëm fillimi me sukses i një procesi të gjatë dhe të vështirë në çdo hap.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në takimin e organizuar për miratimin e reformës në drejtësi në Pallatin e Brigadave.
“Rruga nuk është më e lehtë, por do të jetë e vështirë në çdo hap, qoftë me 7 ligjet urgjente që kanë radhën, qoftë me nisjen e zbatimit të tyre dhe me dhjetra ligje të tjera që janë në planin e punës kolosale për këtë reformë. Çdo hap do të jetë një betejë. Reformë pa betejë nuk ka”, tha ai.
Megjithatë, Kryeministri shprehu bindjen se me ndihmën e ndërkombëtarëve të gjitha këto sfida do të kalohen. Ai ripërsëriti se çdo propozim i opozitës që gjen dakordësinë e Uashingtonit dhe Brukselit është i mirëpritur nga maxhoranca.
“Me mbështetjen e SHBA dhe BE, me ndihmën e Venecia, me vullnetin e kësaj shumice dhe me gatishmërinë për t’i pranuar opozitës çdo kërkesë që gjen dakordësinë e Brukselit dhe Uashingtonit, ne do t’ja dalim që përmes kësaj reforme të shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e korrupsionit’, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Rama, duke iu drejtuar përfaqësuesit të Komisionit të Venecias që ndodhej i pranishëm në pritjen e organizuar, solli një fakt, sipas tij.
“Fjala Venecia, në një vit e gjysmë është përdorur këtu në Shqipëri më shumë se gjithë agjencitë turistike dhe është fakt që fluksi i turistëve shqiptarë drejt Venecias ka një rritje marramendëse falë reklamës që i kemi bërë”, deklaroi ai.