Partia Demokratike (PD) ka bërë të ditur këtë të hënë se do të vazhdojë të insistojë për kushtin e vendeve të rezervuara në draftin për reformën në drejtësi.
“Sa më shumë të veprojnë në mënyrë të njëanshme, aq më shumë do të përballen me rezistencën tonë, për këto veprime anti-kushtetuese që po ndërmerr mazhoranca”, ka deklaruar deputeti Oerd Bylykbashi.
Nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi ka paralajmëruar se çdo veprim i njëanshëm i mazhorancës nuk do të njihet nga opozita.
“Nëse nuk përfshihen ekspertët e opozitës, nëse nuk merret një vendim me konsensus, e gjithë kjo që po ngre mazhoranca është një kështjellë mbi rërë”, ka thënë Bylykbashi, për të theksuar se, gjetja e konsensusit është shumë e rëndësishme.
“Në momentin që e gjejmë ne jemi gati të mbyllim draftin e plotë”, ka vijuar Bylykbashi, duke shtuar se PD do të fillojë edhe djegien e mandateve nëse do të ketë rrjedhje votash. /Telegrafi/