Një nga katër referentët që punojnë në shkrimoren e Gjykatës Supreme të Kosovës, është arrestuar mëngjesin e së hënës.
B.H. është arrestuar nga Policia e Kosovës në vendin e punës, raporton KTV.
Referenti është një nga personat të cilët pranojnë lëndët, të cilat pastaj ua ndajnë gjyqtarëve me një procedurë të njëjtë dhe me rotacion.
Por, KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me rastin se ajo po dyshohet për ushtrim të ndikimit dhe marrje e dhënie të ryshfetit.
Gjithashtu, gjatë ditës është bastisur edhe një banesë në Prishtinë.
“Dëshmi relevante janë konfiskuar dhe një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, ka thënë për KTV-në zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.
Në Prokurorinë e Shtetit nuk kanë dhënë asnjë detaj për rastin, megjithatë është mësuar se me të nuk po merren fare prokurorët vendor.
Në EULEX nuk e kanë konfirmuar këtë, por as nuk kanë pranuar të flasin, së paku tani për hetimin.