Milani dhe Interi kanë arritur marrëveshje për demolimin e stadiumit aktual Giuseppe Meazza në San Siro, por planet e klubeve mund të prishen nga një referendum lokal.
Kryetari i komunës së Milanos, Beppe Sala ka konfirmuar të martën se ai nuk ka pritur që të ketë ndonjë propozim që përfshin rrënimin e stadiumit aktual.
Stadiumi ekzistues është propozuar që të demolohet kur të kompletohet puna në stadiumin e ri prej 60 mijë ulësesh fare pranë stadiumit aktual.
Sidoqoftë, Milan News raporton se ideja ka nxitur revoltë të madhe, deri në atë masë që të mbahet një referendum për këtë çështje.
Pietro Tatarella, një përfaqësues i partisë politike Forza Italia, tashmë ka bërë të ditur se ai do të tentojë të mbledhë 15 mijë nënshkrimet en nevojshme për të vënë në referendum çështjen në momentin që klubet zyrtarisht të prezantojnë planet për rrënimin e San Siros.
“Nuk është vetëm një stadium, por po ashtu një prej simboleve më të njohura të qytetit”, u shpreh Tatarella.
Interi dhe Milani synojnë që të rrisin përfitimet në stadiumin e ri ultra modern, por ka kritika edhe nga tifozët për rrënimin e atij që cilësohet stadium magjik. /Telegrafi/