Site icon Telegrafi

Reçica: Do ta rrisim numrin e inspektorëve në terren për sigurinë e punëtorëve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në emisionin “Zyra e Ankesa”, në RTV Dukagjini ka folur për sigurinë e punëtorëve në vendet e punës, sidomos në ndërtimtari.

Reçica tha se ministria që ai e drejton ka për qëllim rritjen e sigurisë në vendin e punës, për punonjësit. Ai ka treguar se janë duke vepruar në kuadër të dhjetë direktivave të Bashkimit Evropian (BE), që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve.

“Vitin e kaluar si ministri kemi transpozu mbi 10 direktiva të BE-së, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve. Ato direktiva i kemi në kuadër të kornizës ligjore në kuadër të ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Duke pasur parasysh që vitin e kaluar dhe këtë vit ka pasur raste të lëndimeve në vendet e punës dhe madje ka pasur raste me fatalitet. Shpesh e kam thënë që e kemi obligim moral, shtetërorë dhe njerëzorë që secili anëtarë që nis familjarin e vet për punë e ka të drejtën dhe duhet detyrimisht familjari i tyre të kthehet i shëndosh në shtëpi. Dhe mu për këtë ne si ministri kemi një nga objektivat kyçe rritjen e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës të punonjësve”, ka thënë ai.

Ministri Skënder Reçica tregoi se në prill të këtij viti kanë filluar kampanjën “Jeta dhe Siguria mbi të gjitha”, e cila do të vazhdoj deri në fillim të qershorit.

“Këtë vit në kuadër të direktivave të BE-së që kemi transpozu në kuadër të kornizës ligjore, kemi filluar një kampanjë në fillim të muajit prill e cila do të vazhdoj deri në fillim të qershorit. E kemi cilësuar si industrinë e ndërtimit si rrezikshmërinë me të lartë që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në punë. Dhe unë kam qenë personalisht në disa kompani, në disa vend punishte të ndërtimit dhe kam biseduar dhe me punëdhënës dhe punëmarrës dhe ato direktiva që i përmenda i kemi vendos në fund të broshurës. Kemi kërkuar dhe nga punëdhënësit dhe punëmarrësit që këto duhet të zbatohen sepse kanë të bëjnë me jetën e njeriut. Dhe jo rastësisht kampanjën që e kemi filluar në prill dhe që vazhdon deri në fillim të qershorit e kemi quajtur, “Jeta dhe siguria mbi të gjitha”. “Në të gjitha takimet që kam pasur me pronarët e atyre bizneseve që kryesisht merren me ndërtimtari, nuk është që ju mungon vullneti ti zbatojnë kriteret”, ka theksuar Reçica.

Ai po ashtu theksoi se këtë vit kanë planifikuar që kontingjentit të inspektorëve t’i shtohen edhe dhjetë inspektorë të rinj, pasi nuk është i kënaqur me nivelin që është për momentin.

“Dhe për këtë kemi kërkuar nga inspektorati që të jenë më shumë në terren. Dhe po të shikohen statistikat nga viti 2017 deri më tash ne e kemi rrit dukshëm inspekcionin në terren në të gjitha vend punishtet, po në veçanti në ato ku shkalla e rrezikshmërisë është më e lartë. Nuk jam i kënaqur me nivelin që është. Këtë vit planifikojmë që t’i shtohen kontingjentit të inspektorëve dhe dhjetë inspektorë të rinj të cilët do të na rrisin perfomancën e punës”, tha ministri i MPMS-së, Skënder Reçica. /Telegrafi/

Exit mobile version