Telegrafi

Reçica: Çdo familje do ta ketë një të punësuar (Video)

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti tha se fokusi i kësaj ministrie është rritja e punësimit në Kosovë me theks të veçantë të rinjtë.

Sipas tij, në bazë të skemës sociale për punësim do të orientohen që çdo familje ta ketë një anëtar të punësuar.

“Kemi bërë një skanim të situatës brenda në ministri. Fokusi ynë do të jetë rritja e punësimit në Kosovë me theks të veçantë të rinjtë e të rejat si dhe zvogëlimi i kërkesave të familjeve. Po ashtu çdo familje do ta ketë një anëtar të familjes të punësuar”, ka thënë Reçica.

Ministri tregoi se kanë bashkëpunim të ngushtë me organizata të ndryshme për rritjen e punësimit.

“Kemi bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë në zvogëlimin e papunësisë në Kosovë si me GIZ-in gjerman, UNDP, Banka Botërore dhe USAID”, shtoi ministri Reçica.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale po ashtu ka folur edhe për zbatimin e Ligjit të Punës dhe sigurinë në punë.

Ai ka premtuar se do ta fuqizojnë dhe rrisin rolin e Inspektoratit të Punës, përmes një draft ligji i cili do të hyj në fuqi nga viti i ardhshëm.

“Është ndjenjë e rëndë kur familjari niset në punë dhe nuk kthehet më. Përmes fuqizimit të rolit të Inspektoratit të Punës dhe kontrollit do ta rrisim shkallën e sigurisë në punë. Kemi draft ligjin e Inspektoratit dhe vitin tjetër presim ratifikimin e këtij ligji. Përmes mekanizmave ligjore do të shtojmë kontrollin, sigurinë në punë”, tha ministri Skender Reçica.

Ai nuk ka përjashtuar mundësin e rritjes së pensioneve gjatë vitit 2018. /Telegrafi/