Houthit kanë rifilluar sulmet me raketa drejt një anijeje në Gjirin e Adenit, pas sulmeve ajrore izraelite dhe vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Bëhet e ditur se raketat e rebelëve Houthi të Jemenit kanë goditur një anije me flamur të Liberisë që udhëtonte nëpër Gjirin e Adenit, kanë njoftuar autoritetet.
Houthit nuk kanë dhënë një arsye për ndalimin e sulmeve të tyre për dy javë në korridorin e Detit të Kuq.
Por, dihet se rifillimi i tyre pason vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran, një mbështetës kryesor i Houthive.
Raketat kanë goditur anijen Groton duke i shkaktuar dëme të vogla, sipas Qendrës së Përbashkët të Informacionit Detar, një koalicion shumëkombësh i udhëhequr nga Marina e SHBA-së.
“I gjithë ekuipazhi në bord janë të sigurt”, njoftoi qendra.
Yahya Saree, zëdhënës ushtarak i Houthit, e mori përsipër sulmin në një deklaratë të regjistruar së fundmi, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Saree pohoi gjithashtu në deklaratën e tij se Houthit kanë rrëzuar një dron spiun të SHBA-së MQ-9 mbi provincën Saada.
Menjëherë pas pretendimit, rebelët publikuan pamjet e aeroplanit të rrëzuar, duke treguar mbështetësit e tyre duke u ngjitur mbi rrënoja.
Megjithatë, asnjë shenjë identifikimi ushtarak nuk mund të shihej në pamjet e dronit të rrëzuar.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha se ishte në dijeni të pretendimit dhe po e heton atë, pa dhënë detaje.
Ndryshe, rebelët kanë vënë në shënjestër mbi 70 anije me raketa dhe dronë, duke vrarë katër marinarë dhe duke kapur dhe fundosur disa anije.
Ata pohojnë se sulmet e tyre synojnë anije të lidhura me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë e Madhe.
Megjithatë, shumë sulme kanë qenë në anije me pak ose aspak lidhje me konfliktin Izrael-Hamas, duke përfshirë disa të destinuara për në Iran. /Telegrafi/