Site icon Telegrafi

Rebalanci i buxhetit, refuzohen amendamentet e opozitës

Komisioni për financa sot e vazhdoi ditën e dytë të debatit në të cilën u shqyrtuan amendamentet për propozim-rebalancin e buxhetit të vitit 2016, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ashtu si edhe në miratimin e buxheteve paraprake dhe rebalancëve të tjera, edhe gjatë këtij rebalanci ministri i Financave dhe shumica parlamentare hedhin poshtë thuaja të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita. Për refuzimin e amendamenteve të PDSh, deputetët e kësaj partie akuzuan BDI. Sipas tyre, partia shqiptare në pushtet lejon që përmes buxhetit shqiptarëve t’u vidhen nga një miliardë euro në vit.

“Amendamentet tona kanë të bëjnë me çdo sferë të jetës së shqiptarëve dhe të kishte sadopak njerëzim po edhe ndjenja kombëtare te këta të BDI, këto amendamente që moti do të ishin bërë projekte të realizuara, sepse amendamentet e PDSh në radhë të parë janë të arsyeshme, nevojë e vërtetë e qytetarëve dhe shqiptarëve dhe amendamente që sigurojnë kushte elementare për jetesë”, – ka deklaruar deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.

Nga PDSh, ka reaguar edhe deputeti Ernad Fejzulahu. Ai i ka akuzuar deputetët e BDI, se janë shpirtshitur dhe me vetëdije mbështesin buxhetet dhe rishikimet e buxheteve në të cilat nuk janë të përfshirë shqiptarët.

“Le të vijnë këtu dhe le tu thonë qytetarëve se nuk ka ujë në Tetovë dhe ne nuk i pranojmë amendamentin e PDSh, që Tetova të ketë ujë. Nuk e pranojmë amendamentin që Spitali i Tetovës të ketë kushte minimale si klinikë, nuk e pranojmë amendamentin e PDSh, për largimin e deponive nga çdo skutë e qytetit të Tetovës, që edhe deponinë nuk e ndërtojnë sepse edhe me mbeturinat bëjnë krim dhe korrupsion”, ka thënë ai.

Opozita shqiptare ka propozuar disa qindra amendamente, ndërsa opozita maqedonase e bojkoton punën e Kuvendit, rrjedhimisht edhe debatin rreth rishikimit të buxhetit.

Propozuesi ka siguruar se me rebalancin janë paraparë edhe mjete për pagesë të pagave, pensioneve, transferimeve sociale dhe për subvencione për bujqit.

Ministri i Financave Kiril Minovski, nuk ka pranuar asnjë nga amendamentet ndërsa deputetët e BDI nuk ndodheshin në sallë.  “Amendamenti nuk Pranohet”, ka qenë përgjigje më e shpeshtë e debatit të sotëm./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version