Një natë pa gjumë sot për tifozët e Barcelonës dhe të Realit të Madridit, por edhe për të pasionuarit pas futbollit.
Në orën 02:05 pas mesnate, do të zbresin në fushën e lojës dy skuadrat historike të Spanjës për të luajtur një ndeshje miqësore.
Pas 26 vitesh të dyja ekipet do të luajnë kundër njëra-tjetrës në një miqësore, ndërkohë që në Spanjë dhe në Ligë të Kampionëve janë rivale të përjetshëm.
Miami do të mirëpresë dy ekipet që kanë bërë histori në futbollin spanjoll, por edhe në Evropë. Zinedine Zidane dhe Ernesto Valverde do të masin forcat me njëri-tjetrin në prag të dy finaleve të Superkupës së Spanjës, e cila do të luhet disa ditë më vonë, transmeton PanoramaSprot.
Nuk dihet nëse do të luajnë me formacionet e tyre më të mira, apo do të aktivizojnë të rinjtë. Sido që të jetë, Real-Barcelona është gjithmonë një ndeshje spektakolare.
HISTORIKU- Ndeshja e fundit miqësore që kanë luajtur të dyja ekipet ka qenë në 11 shtator të vitit 1991, e cila përfundoi në barazim 1-1. Megjithatë, statistikat e kësaj përballjeje flasin në favor të Barcelonës.
Deri tani janë luajtur 32 ndeshje, në të cilat katalanasit kanë fituar 18, ndërsa Reali vetëm katër herë. 10 ndeshje kanë përfunduar në barazim.