Sven Botman është bërë njëri nga mbrojtësit më të kërkuar në Evropë.
Mbrojtësi i talentuar holandez ka shkëlqyer me Lillen këtë sezon dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha.
Liverpool dhe Bayern Munich prej kohësh kanë shprehur interesim, por së fundmi garës i është shtuar edhe një skuadër e madhe.
Është gjiganti spanjoll Real Madrid që është futur fuqishëm në garë për transferimin e Botman.
21-vjeçari po shihet nga Los Blancos si ideali për ta zëvendësuar Raphael Varanen me mbrojtësin francez që pritet të largohet në verë.
Për të arritur deri te mbrojtësi holandez, Reali është gati të shpenzojë deri në 50 milionë euro.
Vlen të theksohet se Botman ka dalë nga akademia e Ajaxit, derisa iu bashkua Lillet në verën e vitit 2020 për tetë milionë euro. /Telegrafi/