Real Madridi do të synojë që të përforcojë fazën e mbrojtjes gjatë afatit kalimtar veror.
Alphonso Davies i Bayern Munichut po konsiderohet si prioriteti kryesor për pozitën e mbrojtësit të majtë, por çmimi i tij i lartë prej 70 milionë eurosh dhe konkurrenca nga ekipet tjera, ka bërë që madrilenët të eksplorojnë alternativa tjera.
Njëri ndër emrat më të përfolur së fundmi është ai i Miguel Gutierrez, i cili momentalisht paraqitet tek radhët e Gironës.
22-vjeçari i cili është produkt i akademisë së Real Madridit, tani luan për Gironën pasi u transferua aty në vitin 2022 për shumën e 4 milionë eurove.
Ani pse ka bërë vetëm 10 paraqitje për “Los Blancos” gjatë kohës së tij në klub, Gutierrez ka shkëlqyer tek Girona, duke u bërë startues i rregullt për ekipin e Michel dhe madje duke shënuar gol ndaj Barcelonës.
Në rast se Real Madridi dështon që të sigurojë shërbimet e Davies, Gutierrez po shihet si alternativa e tij për atë pozitë. Përkundër kësaj, ka qenë vet lojtari i cili ka thënë se dëshira e tij më e madhe mbetet rikthimi tek klubi ku mori hapat e parë.
Për të siguruar nënshkrimin me të, Real Madridi do të duhej të paguante një çmim qesharak prej vetëm 8 milionë eurosh, kjo falë një klauzole të veçantë në kontratën e tij, për klubet tjera ndërkohë, ato duhet të paguajnë 40 milionë euro./Telegrafi/