Telegrafi

Real Madridi triumfon në udhëtim te Interi – Nerazzurrët pranë eliminimit nga grupet

Real Madridi ka fituar në udhëtim te Interi me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve.

Mbretërit kanë marrë një fitore të madhe te Nerazzurrët, fitore e cila i ngrit gjasat e tyre për të kaluar tutje nga Grupi B.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Real Madridit, ndërsa vëmendja u rrëmbye edhe nga disa vendime të gjyqtarit.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e shtatë dhe ishte Eden Hazard, i cili shënoi për 0-1 nga penalltia.

Në minutën e 32-të Interi kërkoi penallti për një ndërhyrje në zonë ndaj Arturo Vidal, por gjyqtari heshti.

Kjo bërë që lojtarët e Interit të nervozohen dhe gjatë protestave, gjyqtari ndëshkoi Vidalin me dy kartonë të verdhë apo të kuqin brenda disa sekondave.

Deri në fund të kësaj pjese, Nerazzurrët tentuan ta barazojnë rezultatin, por nuk ia arritën, ashtu siç nuk arriti Reali t’i konkretizojë disa raste.

Në pjesën e dytë, përsëri Reali kishte diçka më shumë nga loja, shkaku edhe i epërsisë prej një lojtari dhe arriti ta shënojë edhe një gol për të siguruar fitoren.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën 59-të dhe ishte Achraf Hakimi, i cili devijoi një goditje të Rodrygos për epërsinë e Realit 0-2, rezultat që doli të jetë përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Reali e sheh veten në pozitën e dytë me shtatë pikë, ndërsa Interi në pozitën e fundit të grupit me vetëm dy pikë.

Në ndeshjen e radhës, Interi udhëton te Borussia Monchengladbach, ndërsa Reali udhëton te Shakhtar Donetsk. /Telegrafi/