Gareth Bale mendohet se do të shitet në afatin kalimtar të verës nga Real Madridi.
Mediat spanjolle e kanë kritikuar uellsianin për paraqitjen e tij kundër Levantes javën e kaluar dhe refuzimin për të festuar golin e tij nga penalltia me shokët e skuadrës.
Edhe bashkëlojtari i tij Thibaut Courtois kritikoi Balen për mos ndjekjen e darkave të ekipit ndërsa ish-trajneri i Realit dhe Uellsit, John Toshack, shtoi se lojtari kishte nevojë për të mësuar gjuhën spanjolle për të ‘treguar respekt’ për tifozët.
Karakteri i tij i mbyllur nuk ka ndikuar mirë te dashuria e tij tek mediat dhe tifozët spanjollë, që thuhet se janë pas vendimit për të përshpejtuar një largim.
Sipas mediumit Diario AS, Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka marrë tashmë vendimin e tij për të shitur Bale këtë verë.
Me shitjen e Bale, drejtuesit e klubit nga Bernabeu synojnë të financojnë objektiva e tyre të transferimeve.
Ndër lojtarët më të pëlqyer dhe që po lidhen me Realin janë Eden Hazard, Kylian Mbappe dhe Mauro Icardi.
Bale u bashkua me Real Madridin nga Tottenhami në verën e vitit 2013 dhe ka fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve me klubin. /Telegrafi/