Telegrafi

Real Madridi pritet ta largojë në janar Hazardin, në huazim ose shitje të përhershme

Eden Hazard është futur në vitin e tij të katërt në Real Madrid, por pa mundur të lë gjurmë deri më tani.

Sulmuesi belg iu bashkua Los Blancos në vitin 2019 nga Chelsea për 115 milionë euro, por ai mbetet një nga dështimet më të mëdha në histori të madrilenëve.

Që tre vite e gjysmë, Hazard ka luajtur vetëm 72 ndeshje ku ka shënuar shtatë gola e ka dhuruar 11 asistime me fanellën e klubit mbretëror.

31-vjeçari nuk po preferohet nga Carlo Ancelotti dhe Real Madridi është i gatshëm ta largojë atë qysh në afatin kalimtar të janarit.

Mediat në Spanjë kanë raportuar se madrilenët duan ta largojnë Hazardin si huazim ose ta shesin përfundimisht në janar dhe janë të gatshëm të ulin dukshëm kërkesat për ta liruar belgun.

Aston Villa është skuadra më e interesuar për shërbimet e anësorit belg, por që dëshira e tij është të rikthehet përsëri në Stamford Bridges.

Kampioni në fuqi i Evropës është gati ta lejoj largimin e Hazard nëse vije ndonjë ofertë prej 20 milionë euro, në rast të kundërt lojtari mund të huazohet.

Këtë edicion Hazard ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje me Realin, ku ka shënuar një gol e ka asistuar në një tjetër. /Telegrafi/