Telegrafi

Real Madridi po pret oferta për Ferland Mendy

Ferland Mendy mund të largohet nga Real Madridi pas tri viteve qëndrim në Santiago Bernabeu.

Los Blancos kanë arritur të sigurojnë shërbimet e qendërmbrojtësit gjerman Antonio Rudiger i cili është projektuar si titullar.

E nga edicioni i ardhshëm, trajneri Carlo Ancelotti po planifikon që në krahun e majtë të mbrojtjes ta zhvendos austriakun David Alaba.

Duke parë këtë rotacion që pritet të ndodhë e përditshmja spanjolle AS ka raportuar se Mendy është nxjerr në shitje nga Real Madrid.

26-vjeçari ka qenë një titullar i padiskutueshëm te Reali, ku në 35 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar dy gola e ka asistuar në pesë të tjerë.

Los Blancos janë gati për t’i dëgjuar ofertat e klubeve të interesuara për francezin dhe synojnë që nga shitja e tij të fitojnë 40 milionë euro.

Juventus dhe Paris Saint Germain janë dy skuadrat që kanë shprehur interesim për transferimin e francezit i cili fiton pesë milionë euro në sezon te Real Madridi. /Telegrafi/