Real Madridi ka marrë sërish një pikë, pas barazimit me Barcelonën në xhiron e 17-të në La Liga në mes të kësaj jave.
Los Blancos barazuan në shtëpi pa gola me Ahtletic Bilbaon në kuadër të javës së 18-të në ligën spanjolle.
Real Madridi kishte iniciativën qysh në fillimin e lojës, mirëpo Karim Benzema, Vinicus e Rodrygo Goes nuk ishin të saktë në gjuajtjet e tyre.
Në pjesën e dytë, Zinedine Zidane e largoi Rodrygon për ta futur Gareth Balen dhe në vend të Viniciusit inkuadroi Luka Jovicin, por as këta të dy nuk ia dolën.
Portieri i Bilbaos, Unai Simon ishte në formën e tij të lartë dhe nuk lejoi që mbi dhjetë goditje të madrilenëve ta tundin portën e tij.
Kështu, mysafirët arritën ta fitonin një pikë të artë në udhëtim, e që i mohuan shansin Real Madridit që ta merrte kreun e tabelës.
Pas javës së 18-të, mbretërit gjenden në pozitën e dytë me 37 pikë, dy më pak se Barcelona, ndërsa në xhiron e ardhshme do të takohen me Getafen. /Telegrafi/