Duke folur për të ardhmen e klientit të tij javën e kaluar, agjenti Mino Raiola përfshiu Barcelonën dhe Real Madridin midis transferimeve të mundshme të Erling Haaland në rast se sulmuesi norvegjez vendos të ndahet me Borussia Dortmund verën e ardhshme.
Ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta u takua me Raiolën së fundmi, askush nga Los Blancos nuk ka pasur një takim me agjentin e njohur ditët e fundit.
Sipas gazetës Marca, Real Madridi po monitoron si spektatorë i thjeshtë se çfarë po ndodh me Haalandin, por ata nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në një ankand publik, pavarësisht se janë të interesuar për nënshkrimin e tij.
Los Blancos janë të vetëdijshëm se nuk mund të konkurrojnë në aspektin financiar me klube të tilla si Manchester City apo Paris Saint-Germain, por ata nuk janë të gatshëm të humbasin qetësinë e tyre.
Ndërkohë, klubi beson se sulmi i tyre do të jetë mjaft i fortë pas ardhjes së mundshme të Kylian Mbappe, i cili do të formojë një vijë sulmi të fuqishme përkrah Karim Benzema, Vinicius Junior, Rodrygo Goes dhe Marco Asensio.
Haaland mund të kontribuojë në disa aspekte të lojës së Real Madridit, por Benzema aktualisht është një titullar i padiskutueshëm në sulm dhe Los Blancos nuk kanë nevojë për një tjetër sulmues elitar, pasi francezi është një lojtar i rëndësishëm i ekipit të Carlo Ancelottit. /Telegrafi/