Site icon Telegrafi

Real Madridi mund të mbetet pa shërbimet e yllit të skuadrës për ndeshjen ndaj Atalantas

Kriza e lëndimeve tek Real Madridi duket se nuk do të marrë fund asnjëherë. Të shtunën, u konfirmua se Rodrygo Goes është bërë lojtari i fundit i cili ka pësuar një lëndim.

Reprezentuesi brazilian u konfirmua se ka një lëndim muskulor dhe për këtë arsye nuk do të luajë ndaj Gironës dhe duket se mungesa e tij do të jetë edhe më e gjatë.

Sipas mediumit spanjoll Relevo, është pothuajse e sigurt që Rodrygo do të jetë po ashtu jashtë fushave edhe për ndeshjen ndaj Atalantas në Ligën e Kampionëve të martën.

Skenari më i mundshëm është që ai të rikthehet për ndeshjen e vikendit ndaj Rayo Vallecanos, ani pse nëse lëndimi është më i rëndë, ai mund të mbetet jashtë fushës deri në takimin me Sevillan.

Kjo është një goditje e rëndë për ‘Los Blancos’ pasi ndeshja ndaj Atalantas është një ndeshje e cila duhet të fitohet me çdo kusht duke marrë parasysh situatën e krijuar në tabelë.

Sidoqoftë, një ‘dritë në fund të tunelit’ për Carlo Ancelottin është fakti se Vincius Junior do të rikuperohet në kohë për duelin ndaj klubit italian./Telegrafi/

Exit mobile version