Site icon Telegrafi

Real Madridi mëson çmimin e qendërmbrojtësit të talentuar të Ligës Premier

Real Madridi duket se e ka si objektiv kryesor përforcimine krahëve të mbrojtjes gjatë verës, por me Antonio Rudiger dhe David Alaba që kanë hyrë në të 30-tat dhe Eder Militao po rikuperohet nga një lëndim i rëndë, nuk ka dyshim se ata duhet ta adresojnë edhe çështjen e qendrës së mbrojtjes.

Pas një përpjekje të dështuar për ta transferuar Leny Yoro verën e kaluar, me Manchester United që fitoi garën për nënshkrimin e tij, ‘Los Blancos’ u desh të shqyrtonin sërish planet e tyre.

Një lojtar i cili duket që ka ‘rrëmbyer’ vëmendjen e drejtuesve të klubit është mbrojtësi spanjoll Dean Huijsen.

Huijsen momentalisht luan në radhët e Bournemouth në Ligën Premier, atje ku po shkëlqen me paraqitjet e tij.

Si një i ri, Huijsen kishte refuzuar Real Madridin dhe Barcelonën, por gjiganti spanjoll e ka ndjekur progresin e tij ndër vite dhe gjatë javëve të fundit është raportuar se ai është emri i preferuar për verën.

Tani, raportime nga Anglia të bazuara nga një shkrim i ESPN, kanë bërë të ditur se Huijsen ka një vlerë kartoni prej 59 milionë eurosh.

Se a do ta paguajë Real Madridi këtë shumë mbetet të shihet, por ai i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë pjesë e tyre./Telegrafi/

Exit mobile version