Real Madridi ka lëshuar një komunikatë sa i përket të ardhmes së Kylian Mbappes në Santiago Bernabeu.
Gjiganti spanjoll ka mohuar zërat se kanë arritur marrëveshje me sulmuesin francez, por në mediat spanjolle kjo po konsiderohet vetëm një komunikatë formale për të respektuar PSG-në.
“Duke pasur parasysh informacionet e lëshuara dhe të publikuara së fundmi nga media të ndryshme, në të cilat spekulohet për negociata të supozuara mes lojtarit Kylian Mbappé dhe klubit tonë, Real Madrid C.F dëshiron të deklarojë se ky informacion është kategorikisht i rremë dhe se negociata të tilla nuk janë zhvilluar me një lojtar që i përket PSG-së”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga klubi madrilen.
Por lajmet për transferimin e Kylian Mbappes nuk do të ndalen asnjëherë, aq më pak kur francezi është futur në vitin e fundit të kontratës me parisienët.
Mediumi spanjoll El Chiringuito ka zbuluar se Mbappe ka një marrëveshje me Real Madridin dhe ai do të jetë më i paguari në klubin madrilen.
Ka një marrëveshje mes palëve që Mbappe do të fitoj një pagë vjetore prej 60 milionë eurove në sezon, duke u bërë lojtari më i paguar te Real Madridi dhe në përgjithësi në La Liga.
Për më shumë Mbappe do të jetë edhe futbollisti me pagën më të lartë në kampionatet evropiane, pasi askush nuk fiton sa ai.
Me transferimin te Reali, ylli francez do të fitoj më shumë para në vit se sa yjet e Realit së bashku si Toni Kroos, Vinicius Junior, Luka Modric, David Alaba e Jude Bellingham.
Aktualisht lojtari më i paguar i Real Madridit është mesfushori gjerman Toni Kroos që fiton 11,7 milionë euro neto në sezon. /Telegrafi/