Klubi i madh spanjoll, Real Madridi mendohet se po përgatit një ofertë gjatë verës prej 70 milion eurosh për mesfushorin e Napolit, Fabian Ruiz.
Los Blancos kanë qenë të lidhur me reprezentuesin spanjoll gjatë disa muajve të fundit dhe duket se ata do të veprojnë për 23-vjeçarin qershorin e ardhshëm.
Sipas mediumit italian La Gazzetta dello Sport, gjigandët spanjollë do të ofrojnë 70 milionë euro, të cilat presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis do ta ketë të vështirë t’i refuzojë.
Fabian Ruiz ishte gjithnjë titullar nën urdhrat e ish-trajnerit Carlo Ancelotti, por mund ta gjej veten të margjinalizuar nën trajnerin e ri Gennaro Gattuso.
Gattuso ka implementuar një sistem 4-3-3, me Allan në qendër të mesfushës me tre.
Ky sistem nuk merr më të mirën nga Fabian Ruiz dhe mund të shpejtojë largimin e tij nga San Paolo.
Napoli nënshkroi me spanjollin nga Real Betis dy vera më parë për 30 milionë euro. /Telegrafi/