Real Madridi ka caktuar takim urgjent me agjentin Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, për të diskutuar rreth ofertës së Juventusit dhe mundësisë së largimit të portugezit
Gazeta spanjolle, Marca, bën të ditur se përfaqësuesi i lojtarit ka marrë një telefonatë përmes së cilës i është kërkuar që të udhëtojë të enjten në Madrid për të diskutuar rreth situatës së krijuar.
Mediat e mëdha sportive vazhdojnë të spekulojnë se CR7 është pranë largimit nga Los Blancos, pas nëntë viteve të kaluara në Santiago Bernabeu.
Juventusi është destinacioni më i mundshëm, pasi kampioni italian i ka gati 100 milionë euro për Realin dhe 30 milionë euro në vit për futbollistin.
Në vitin e kaluar, raporti i 33-vjeçarit me drejtuesit e klubit, e në veçanti me presidentin Florentino Perez, ishte zbehur.
Portugezi mendon se klubi nuk e respekton dhe nuk e vlerëson sa duhet si lojtar të rëndësishëm, përkundër pagesës së madhe që merr.
Njëherësh, ai dëshiron të jetë më i paguari në botë, ndërsa mediat angleze e kanë përmendur edhe Manchester Unitedin si opsion të mundshëm.
Mirëpo, sipas Marca, raporti i tij me Jose Mourinhon nuk është i mirë dhe po ashtu, sipas spekulimeve, CR7 ka një klauzolë prej 100 milionë eurosh për klube të caktuara, ku nuk bëjnë pjesë Barcelona, Paris Saint-Germaini, Bayern Munichu dhe Manchester Unitedi.
Pritet të shihet se sa do të rezultojnë të vërteta këto thashetheme dhe se a do të ndodhë transferimi madh nga Juventusi. /Telegrafi/