Site icon Telegrafi

Real Madridi interesohet për transferimin e tij, por Kounde thotë se ndihet mirë te Sevilla

Youssef En-Nesyri dhe Jules Kounde. (Photo by Wolfgang Rattay/Pool via Getty Images)

Jules Kounde është njëri nga mbrojtësit me paraqitjen më të mirë këtë edicion në kampionatet evropiane.

Qendërmbrojtësi i talentuar francez në vitin e tij të parë te Sevilla ka shkëlqyer, ku falë paraqitjeve të mira ai do të luaj edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Evropës.

21-vjeçari ka zhvilluar 38 ndeshje zyrtare duke shënuar dy gola dhe duke bërë një asistim për klubin andaluzian.

E falë paraqitjeve të shkëlqyeshme këtë edicion si në La Liga ashtu edhe në garat evropiane, Kounde është bërë objektivi i Real Madridit për repartin e mbrojtjes.

Megjithatë përkundër interesimit nga Los Blancos, francezi nuk është tunduar, pasi thotë se dëshiron të mbetet te Sevilla.

“Është mirë gjithmonë kur interesohen skuadrat e mëdha për ty, pasi kjo tregon se je duke bërë mirë”.

“Unë jam shumë mirë në Sevilla. Vitin tjetër do të luajmë në Ligën e Kampionëve dhe këtë e meritojmë të gjithë në klub. Jam i lumtur dhe i përqendruar këtu, nuk mendoj për asnjë skuadër tjetër”, ka deklaruar mbrojtësi francez.

Përpos gjigantit madrilen Real Madrid, interesim për lojtarin ka shprehur edhe Manchester United dhe Roma.

Sevilla e bleu për 21 milionë euro vitin e kaluar Kounden nga Bordeaux, ndërsa tani ai vlerësohet rreth 50 milionë. /Telegrafi/

Exit mobile version