Real Madridi është kthyer seriozisht në garë për shërbimet e talentit Kylian Mbappe.
Talenti francez i Monacos ka çmendur të gjithë skuadrat e mëdha evropiane me paraqitje e tij të mira këtë sezon në Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve.
Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që shumë skuadra të mëdha evropiane të interesohen për shërbimet e tij, duke ofruar edhe shifra marramendëse.
Sipas RMC Sport, të fundit që duan Mbappen janë fituesit e Ligës së Kampionëve, Real Madridi, që janë vendosur të bëjnë një ofertë të tretë prej 135 milionë eurosh në një përpjekje për të nënshkruar me sulmuesin e Monacos.
Raporti sugjeron se Los Blancos janë gati të shesin James Rodriguez – me Interin dhe Manchester Unitedin që duket se janë të interesuar – dhe shpresojnë se ata mund të fitojnë së paku 70 milionë euro, të cilat do t’i ndihmonin në ofertën e tyre masive për Mbappen.
Në rast se ky transferim ndodh, atëherë do të bëhej më i shtrenjti në histori të futbollit botëror, duke kaluar Paul Pogban. /Telegrafi/